Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura në atletikë i cili u zhvillua në Beograd të Serbisë ka dhuruar një medalje të artë për atletikën shqiptare. Shkodrani Izmir Smajlaj ka zënë vendin e parë në kërcim së gjati, duke vendosur njëkohësisht edhe rekord kombëtar. Në kërcimin e gjashtë dhe të fundit, Smajlaj dha rezultatin 7.98 metra, që është rekordi i ri kombëtar në këtë disiplinë.
Ndërkohë, në pistë kanë zbritur edhe dy atletë të tjerë kuqezinj. Në garën e 800 metrave për femra, atletja 16-vjeçare Relaksa Dauti garoi në baterinë e parë, ku u rendit e pesta, me kohën 2’18”95.  Evidentohet fakti se ajo ishte atletja më e vogël e kësaj gare, duke u përballur me rivale më të mëdha në moshë. Ndërsa atleti Eraldo Qerama bëri një paraqitje më të mirë në distancën 800 metra, ku u rendit i dyti në baterinë A, me kohën 1’52”82. Në garën e 60 metrave, paraqitje të mirë bëri dhe  atleti Bajram Muço  duke dhënë kohën 7”08. Ai garoi në Baterinë A, ku u rendit i treti.

Per te pare rezultatet e atleteve klikoni ketu.

Per te pare foto klikoni ketu.