Gjergj Ruli do të vijojë të jetë në krye të FSHA-së edhe për katër vitet e ardhshme. Pas mbledhjes së asamblesë zgjedhore të mbajtur të premten më date 09/09/2016 në qytetin e Elbasanit, Gjergj Ruli mori 19 vota nga 19 të mundshme për të vijuar punën si president i FSHA-së. Fillimisht në garë kanë qenë dy kandidatë, por Zhuje Bajko është tërhequr nga kandidimi për presidente pak para nisjes së votimit. Ndërkohë, nga 23 klube me të drejtë vote, vetëm 19 prej tyre u paraqitën në këtë asamble. Ky mandat është i treti për Rulin në këtë federatë, i cili mori në unanimitet votat e të gjithëve. Pasi përfunduan zgjedhjet për presidentin e FSHA-së, nisën votimet për të zgjedhur anëtarët e Komitetit Drejtues në këtë federatë. Në garë morën pjesë 8 kandidatë për 6 vende dhe nga 19 fletë votimi vetëm njëra rezultoi e pavlefshme. Kështu, nga 6 anëtarë të këtij komiteti, 5 prej tyre, Ferdinant Canaj, Zhuje Bajko, Hamit Demiri, Kostandin Mulla dhe Oltion Luli, u konfirmuan në këtë pozicion dhe vetëm Niko Laro është prurje e re. Si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës u zgjodh Nikolin Dionisi pas votimit nga Komiteti Drejtues.Pasi ka marrë mandatin e tretë radhazi për të drejtuar këtë federatë, Presidenti i FSHA-së, Gjergj Ruli, deklaroi për mediat se “ishte shumë i lumtur që komuniteti i atletikës e votoi, duke i dhënë besim në masën 100 % dhe njëkohësisht në këtë komitet fitoi edhe një anëtar i ri.” “Jam i bindur se ky komitet do të marrë do të marrë vendime dinjitoze për të ardhmen, ka vijuar Ruli, duke shtuar: “Kemi ambiciet tona për vitin 2017 dhe Olimpiadën 2020 në Tokio.”

 

Per te pare foto nga Asambleja e Pergjithshme Zgjedhore klikoni ketu.